Sa na kushton qeverisja vendore?
Bashkitë kanë përgjegjësi për kryerjen e një sërë funksionesh të rëndësishme publike të cilat kanëndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve. Funksionet që duhet të kryejnë bashkitë në Shqipëri jepen të detajuara në nenet 21-30 të Ligjit nr. 139/2015, “Për Vetëqeverisjen Vendore“. Ndër më të rëndësishmet, përmendim furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të ndotura, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve dhe transportin publik vendor, pastrimin e qytetit dhe largimin e mbetjeve, ndriçimin publik, parqet dhe hapësirat e gjelbra, mirëmbajtjen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave, administrimin e shërbimeve sociale, kulturore dhe sportive, mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen nga zjarri etj. Bashkitë kryejnë edhe funksione të tjera që quhen “të deleguara“, të cilat janë funksione dhe përgjegjësi e qeverisjes qendrore, por që nën disa kushte të caktuara në ligj, disa kompetenca për kryerjen e tyre u janë deleguar ligjërisht bashkive, si p.sh., ndihma ekonomike për familjet në nevojë, Zyrat e Gjendjes Civile, etj. Pra është e qartë që shërbimet më të rëndësishme publike në Shqipëri janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e bashkisë, dhe puna në drejtim të këtyre funksioneve reflektohet drejtpërsëdrejti në cilësinë e jetesës së qytetarëve.
Ushtrimi i funksioneve nga ana e bashkive kërkon burime të konsiderueshme financimi, të cilat shpesh rezultojnë të pamjaftueshme. Bashkitë sigurojnë pjesën më të madhe të të ardhurave nga dy burime kryesore:
- të ardhura nga burime të veta, të cilat përfshijnë të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore (që vendosen nga bashkia për çdo tatimpagues familjar apo biznes) dhe menaxhimi i pasurive të paluajtshme të bashkisë. Qartësisht puna e kryer nga bashkia për të mirë-administruar kompetencat që i jep ligji për të taksuar apo për të përdorur pronat publike pasqyrohet drejtpërdrejt në cilësinë e ofrimit të shërbimeve. Nga ana tjetër, është po aq e rëndësishme që të gjithë qytetarët dhe bizneset të paguajnë rregullisht detyrimet për taksat dhe tarifat vendore.
- transferta nga qeveria qendrore: në formën e transfertave apo granteve të pakushtëzuara apo të kushtëzuara. Transfertat e pakushtëzuara përfaqësojnë fonde që qeveria qendrore i transferon bashkive sipas disa kritereve të përcaktuara. Ligji u njeh bashkive liri të plotë në përdorimin e këtyre fondeve. Transfertat e kushtëzuara, jepen dhe përdoren vetëm për qëllimin për të cilin janë dhënë. Përgjithësisht, transfertat e kushtëzuara jepen për funksione “të deleguara“ apo për projekte të veçanta investimi të cilat konsiderohen prioritete të qeverisjes qendrore apo vendore, apo i të dyjave së bashku. Këto projekte të veçanta financohen nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve.
Gjetja e kostos reale të funksioneve vendore është një ushtrim mjaft i vështirë sepse varet nga preferencat e komuniteteve për nivelin apo cilësinë e shërbimit publik dhe mundësitë e financiare në dispozicion. Megjithatë, nga studimet e kryera rezulton se Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në rajonin e Evropës Juglindore përsa i përket financimit të bashkive pavarësisht se ligjërisht, bashkitë tona kanë funksione të ngjashme me bashkitë e vendeve të rajonit.
Sa ka kushtuar qeverisja vendore në vitin 2016?
Qeverisja dhe shërbimet publike vendore në vitin 2016 (pra pa funksionet e deleguara apo financimet për projekte të veçanta) kanë kushtuar rreth 36.6 miliard lekë, ose rreth 270 milion Euro. Kjo shumë përbën rreth 8.5% të buxhetit të shtetit për vitin 2016 dhe rreth 2.4% të Produktit të Brendshëm Bruto. Sipas përdorimit, rreth 72.4% e fondeve në dispozicion u përdor për financimin e shpenzime korrente dhe rreth 27.6% për investime kapitale. Mesatarisht, bashkitë kanë shpenzuar rreth 12,600 lekë (ose 93 euro) në vit për çdo banor, nga të cilat 3500 lekë ose 26 euro për investime.
Në Lekë | Në Euro | |
---|---|---|
Totali | 36.6 mlrd | 269.2 mln |
Shpenzime Korrente | 26.5 mlrd | 194.5 mln |
Investime | 10.1 mlrd | 74.7 mln |
Shpenzime për banor | 12.600 /Vit | 93 /Vit |
Shpenzime Korrente | 9100 | 67 |
Investime | 3100 | 26 |
Tatimpaguesit kanë paguar | 16.8 mlrd | 123.4 mln |
Të Ardhurat nga taksat për banor | 5800 /Vit | 42.6 /Vit |
Shpenzime Korrente | 4200 | 29.8 |
Investime | 1600 | 12.8 |
Detyrimi tatimor mesatar vjetor për një familje me 4 anëtarë | 23 mijë | 170 |
Në total, të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore rezultuan në rreth 16.8 miliard lekë (123.4 milionë euro) në vitin 2016 ose rreth 5,800 Lekë (42.6 Euro) për banor. Nëse konsiderojmë një familje me 4 pjesëtarë, detyrimi tatimor mesatar për vitin 2016 do kish qenë 23 mijë lekë ose 170 Euro. Megjithatë, duhet specifikuar se barra fiskale vendore në Shqipëri mbahet gjerësisht nga bizneset, ndërkohë që tatimpaguesit familjarë kontribuojnë vetëm pjesërisht në buxhetin e bashkisë.
Për sa më sipër, nëse marrim në konsideratë nivelin dhe cilësinë aktuale të shërbimeve publike që ofrojnë vetë bashkitë, rezulton se qeverisja vendore kushton rreth 269.2 milion euro në vit ose 93 euro për banor. Nga ana tjetër, tatimpaguesit paguajnë rreth 123 milion euro në formën e taksave dhe tarifave vendore, çka mbulon rreth 46% të shpenzimeve për funksionet e veta vendore. Në terma “për frymë”, kjo do të nënkuptonte një detyrim fiskal prej 42.6 Euro për banor. E thënë ndryshe, qeverisja vendore dhe funksionet e saj do kushtojnë rreth 3 Euro në muaj për çdo banor, ndërkohë që të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe tarifat janë në nivelin 1.4 euro në muaj për banor.
Hendeku ndërmjet sa paguhet nga tatimpaguesit (familjarë dhe biznese) dhe sa shpenzohet nga bashkitë për ofrimin e shërbimeve është i qenësishëm dhe lë hapësira për diskutim mbi shkaqet e tij. Kështu, hendeku mund të shpjegohet me faktin që bashkitë nuk përdorin si dhe sa duhet të drejtën ligjore për të vendosur dhe mbledhur taksa apo tarifa për shërbimet e ofruara; niveli i taksave dhe tarifave është i papërshtatshëm dhe nuk arrin të mbulojë kostot e shërbimeve; baza e tatimpaguesve është e kufizuar; bashkitë zgjedhin të mos e aplikojnë fare një taksë apo tarifë apo zgjedhin ta aplikojnë në nivel shumë të ulët krahasimisht me bashkitë e tjera. Gjithashtu, nuk janë të rralla rastet kur bashkitë fokusojnë punën e tyre në mbledhjen e taksave nga komuniteti i biznesit dhe një numër të vogël qytetarësh që kanë një kontratë me ujësjellësin apo që paraqiten për të marrë një certifikate në zyrat e bashkisë, duke "harruar" kështu një pjesë të rëndësishme tatimpaguesve potencialë. Nuk mungojnë as rastet kur bashkitë i rrisin taksat dhe tarifat për tatimpaguesit biznes, për të siguruar mbuluar në një farë mënyrë deficitin në mbledhjen e të ardhurave nga tatimpaguesit familjarë.
Kostoja e qeverisjes vendore dhe cilësia e shërbimeve që ofrohen nga bashkia janë gjithashtu dhe një pasqyrim i preferencave të komunitetit të asaj bashkie, të cilat shprehen nëpërmjet dokumenteve të Paketës Fiskale dhe Buxhetit nga anëtarët e Këshillit Bashkiak me votën e tyre. Sipas legjislacionit në fuqi për buxhetin dhe financat vendore, qytetarët kanë të drejtën të marrin pjesë në këto vendimmarrje, dhe bashkia ka detyrimin të konsultohet me qytetarët në përcaktimin e nivelit të taksave apo tarifave dhe mënyrën e përdorimit të taksave të tyre në buxhet.
Në përfundim, ajo që vlen të theksohet është se «mënyra e vetme për të siguruar vazhdimësinë dhe përmirësimin cilësisë së shërbimeve është që çdo tatimpagues familjar apo biznes të shlyejë detyrimet për taksa dhe tarifa vendore në bashkinë e tij».
Nëse dëshironi më tepër informacion në lidhje me nivelin e taksave apo tarifave që aplikon bashkia juaj apo mënyrën e përdorimit të tyre nga bashkia mund të vizitoni këtë link ku janë publikuar vendimet e këshillave bashkiakë të 61 bashkive për nivelin e taksave dhe buxheteve. Nëse dëshironi të dini sa janë të ardhurat në dispozicion të bashkisë tuaj mund të klikoni këtu, ndërkohë që nëse doni të dini se si i përdor bashkia juaj fondet, klikoni këtu.
Shënime:
- Nëse përveç funksioneve të veta të bashkive do të shtonim projektet e veçanta të financuara nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, qeverisja dhe funksionet vendore do të na kushtonin rreth 49 miliard lekë, që përbëjnë 11.2% të Buxhetit të shtetit për 2016 ose 3.4% të Produktit të Brendshëm Bruto.
- Detyrimi mesatar për një familje me katër persona është nxjerrë duke pjesëtuar të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore me popullsinë sipas Censusit të vitit 2011. Në llogaritje nuk janë konsideruar kategoritë e tjera të tatimpaguesve (bizneset), dhe po ashtu nuk janë konsideruar diferencat në kuadrin ligjor fiskal ndërmjet bashkive të ndryshme. Megjithëse shifra prej 170 Euro në vit vjen si rezultat i disa llogaritjeve dhe thjeshtëzimeve të një sistemi kompleks fiskal, sërish është e rëndësishme dhe informuese, sepse tregon masën mesatare të kontributit që japin bizneset në buxhetin e bashkisë.
Mbi Financat Vendore
Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2021 Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit
Publikimet më të fundit
Sjellja e Bashkive
Kosto e Qeverisjes Vendore
Fjalor
Links të dobishëm
Si të na kontaktoni
Autostrada Tiranë — Durrës, km 7
Tiranë, Shqipëri
Tel. (+355) 424 07423-4
Fax. (+355) 424 07425
Mob. (+355) 697 082668