Fjalorth

Të ardhurat e përgjithshme
Të ardhurat e përgjithshme (ose totale) tregojnë shumën e të ardhurave të grumbulluara ngataksat dhe jo-taksat, transfertat nga qeveria qëndrore, huatë dhe të ardhurat e tjera tëgjeneruara nga aktivitetet ekonomike të bashkisë/komunës, të ardhurat nga qeratë dhe shitjet,dhe donacionet e tjera, si dhe të ardhura nga interesat bankare dhe gjobat.
Të ardhurat nga burimet e veta
Bashkitë gjenerojnë të ardhura nga:
  • taksa mbi pasurinë e paluajtshme, në të cilën përfshihen taksa mbi ndërtesat, taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi truallin, si dhe mbi transaksionet e kryera me to;
  • taksa mbi veprimtarinë ekonomike të biznesit të vogël;
  • taksa mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier;
  • taksa e tabelës;
  • taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja;
  • taksa vendore të përkohshme;
  • taksa të tjera.
Gjithashtu bashkitë gjenerojnë të ardhura nga tarifat vendore për:
  • shërbimet publike të ofruara prej tyre
  • të drejtës për përdorim të hapësirave publike
  • dhënies së liçensave, lejeve, autorizimeve dhe dokumentacioneve të tjera të lëshura nga zyrat e qeverisë vendore
Të ardhurat e veta të vazhdueshme
kjo kategori përfshin të gjithë të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore që mund të grumbullojë një njësi e qeverisjes vendore të ndara si më poshtë:
Taksa e biznesit të vogël
Taksa e biznesit të vogël deri në vitin 2013 mblidhej nga autoritetii qeverisjes vendore për të gjitha ato biznese të cilat operojnë në kufirin administratitë njësisë vendore. Çdo entitet i cili, gjatë një viti fiskal, gjeneron xhiro vjetore më pak apo deri në 8 milion lekë, është subjekt i tatimit të taksës së biznesit të vogël (pas vitit 2013, tatimi mbi fitimin e biznesit).
Taksa mbi tokën bujqësore
Taksa mbi tokën bujqësore është pjesë e taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Çdo person fizik apo juridik, shtetas apo i huaj, i cili zotëron një pronë në territorin e Shqipërisë është subjekt i taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Barra e kësaj takse bie mbi pronarin ose bashkëpronarin, në varësi të pjesës që secili zotëron dhe mbi përdoruesin. Baza e kësaj takse është sipërfaqja e tokës bujqësore në hektarë (ha). Sipërfaqja e tokës përcaktohet sipas dokumentacionit përkatës mbi pronësinë.
Taksa mbi ndërtesën
Taksa mbi ndërtesën është pjesë e taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Çdo person fizik apo juridik, shtetas apo i huaj, i cili zotëron një pronë në territorin e Shqipërisë është subjekt i taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Barra e kësaj takse bie mbi pronarin ose bashkëpronarin, në varësi të pjesës që secili zotëron dhe përdoruesin. Baza e kësaj takse është sipërfaqja e ndërtimit në metra katrorë e pronës, mbi dhe nën tokë. Sipërfaqja e pronës përcaktohet sipas dokumentit përkatës mbi pronësinë. Të ardhurat e gjeneruara nga kjo taksë, i përkasin 100% bashkisë në të cilën mblidhet taksa.
Taksa e fjetjes në hotel
Baza e taksës së fjetjes në hotel është numri i netëve të qëndruara në hotel. Detyrimi për taksën llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës së vendosur nga bashkia, për natë qëndrimi, me numrin e netëve të qëndrimit në hotel. Detyrimi për taksën i takon klientit që strehohet në hotel, detyrim i cili mbahet nga hoteli për llogari të bashkisë ose të, në territorin e së cilës ndodhet hoteli. Në faturën e hotelit shënohet çmimi i fjetjes dhe mbi të vlera e taksës. Derdhja e të ardhurave për këtë taksë nga hoteli në favor të bashkisë apo , në juridiksionin e së cilës ndodhet vendndodhja e tij, bëhet brenda datës 5 të muajit pasardhës.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërimet e reja
Baza e taksës është vlera në lekë e investimit të ri që kërkohet të kryhet ose vlera në lekë e çmimit të shitjes për metër katror të investimit të ri \(sipas lejes së ndërtimit\). Në rastin e ndërtimeve për qëllime banimi apo njësi shërbimi nga shoqëritë e ndërtimit, të cilat nuk destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, industrisë apo përdorim publik, taksa e ndikimit në infrastrukturë është në masën 4 për qind deri 8 për qind të çmimit të shitjes për metër katror. Baza e taksës është vlera në lekë për metër katror e çmimit të shitjes së njësive të shërbimit apo ndërtesave për qëllime banimi. Çmimi i shitjes për metër katror bazohet në vlerën referuese të vlerës së tregut, sipas përcaktimeve në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit. Në rastin e ndërtimeve të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, niveli i taksës shprehet si përqindje e vlerës së investimit dhe është 1 deri në 3 për qind e kësaj vlere, ndërsa për Bashkinë e Tiranës është 2 deri 4 për qind e saj. Për projektet e infrastrukturës, për ndërtimin e rrugëve kombëtare, të porteve, aeroporteve, tuneleve, digave, ndërtimit të infrastrukturës në energji, përfshirë makineritë dhe pajisjet për këto projekte, taksa e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja është 0,1 për qind e vlerës së investimit, por jo më pak se kostoja e rehabilitimit të infrastrukturës së dëmtuar, kur kjo kosto nuk është përfshirë në preventivin e investimit. Për ndërtesat, të cilat janë në proces legalizimi, taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja është 0,5 për qind e vlerës së investimit.
Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme
Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme është pjesë e taksave të ndara. Njësitë e vetëqeverisjes vendore përftojnë 97% të të ardhurave totale të gjeneruara nga kjo taksë.Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme vendoset për ndërtesat dhe të gjitha pasuritë e paluajtshme në çastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi to. Taksa paguhet nga personi, që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, para kryerjes së regjistrimit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Baza e taksës mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit, pronësia e së cilës transferohet.
Taksa vjetore për qarkullimin e mjeteve të përdorura
Taksa vjetore për qarkullimin e mjeteve të përdorura është pjesë e taksave të ndara. Njësitë e vetëqeverisjes vendore përftojnë 25% të të ardhurave totale të gjeneruara nga kjo taksëBaza e taksës është tipi i automjetit të transportit rrugor. Niveli i taksës është i shprehur në formën e një vlere sipas llojit të automjetit. Barra e taksës bie mbi pronarin e automjetit dhe grumbullohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, përpara kryerjes së kontrollit teknik vjetor të automjetit.
Tarifa për zënien dhe përdorimin e hapësirës publike dhe të fasadave
Njësitë e vetëqeverisjes vendore vendosin tarifa për zënien e hapësirës publike dhe të fasadave si më poshtë:
  • për zënien e hapësirës në zonat publike ose para mjediseve të biznesit, për qëllime biznesi, përfshirë këtu tavolinat jashtë për bare dhe restorante;
  • për përdorimin e tabelave të reklamave; c) për zënien e hapësirave të parkimit për mjetet motorike;
  • për zënien e sipërfaqeve për kamping, ngritje tendash dhe mjetesh të tjera për përdorim të përkohshëm;
  • për zënien e brigjeve ujore për biznes dhe qëllime të tjera;
  • për mbajtjen dhe përdorimin e pajisjeve e të mjeteve të lundrimit dhe objekteve të tjera në det, lumenj ose liqene;
  • për mbajtjen dhe përdorimin e barkave e të platformave pluskuese, përjashtuar këtu barkat që përdoren nga organizatat e angazhuara në mirëmbajtjen dhe shënjimin e rrugëve ujore;
  • për restorante dhe mjedise të tjera ushqimi dhe argëtimi pranë detit, lumenjve ose liqeneve;
  • për zënien e hapësirës publike për rulotë dhe trajlerë, përveç automjeteve bujqësore dhe makinerive bujqësore;
  • për zënien e hapësirës publike për mbajtjen e materialeve të ndërtimit;
  • tarifa të tjera, që mund të vendosen me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Në vendosjen e këtyre e tarifave, si rregull, ndiqen këto parime dhe kritere:
  • vendndodhja (zona) ku ushtrohet veprimtaria, për të cilën vendoset tarifa;
  • karakteristika të tjera objektive dalluese të personave fizikë ose juridikë që zënë hapësirën publike.
Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore përcakton, me vendim, nivelin e tarifave vendore, zonat dhe përdoruesit, përfshirë përjashtimet e lehtësimet, afatet dhe metodat e pagesës së tarifave.
Taksa e tabelës
Taksa e tabelës aplikohet për të gjitha subjektet të cilët vendosin emërtimin e subjektit në pamjen ballore të njësisë ku zhvillojnë veprimtarinë, në hapësira të tjera publike ose private, qofshin këto të lëvizshme ose të palëvizshme dhe që shërbejnëpër qëllime reklamimi. Niveli dhe baza e kësaj takse përcaktohet nga Këshilli Bashkiak.
Tarifa për mbledhjen dhe largimin e mbetjeve
Tarifës së pastrimit i nënshtrohen të gjithë familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike ose jo brenda territorit të bashkisë. Përgjithësisht kjo tarifë i referohet shërbimit të grumbullimit të mbetjeve të ngurta dhe pastrimit të rrugëve të qytetit.
Transferta e pakushtëzuar
Transferta e pakushtëzuar nga Buxheti i Shtetit u jepet njësive të vetëqeverisjes vendore për financimin e ushtrimit të funksioneve dhe kompetencave të tyre të përcaktuara me ligj. Shuma totale vjetore e fondeve për t’u ndarë ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore nëpërmjet transfertës së pakushtëzuar, në një vit të dhënë buxhetor, është jo më pak se 1 për qind e produktit të brendshëm bruto, të parashikuar në raportin për vlerësimet dhe parashikimet makroekonomike të miratuar nga Këshilli i Ministrave, sipas nenit 23, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Në çdo rast, transferta e pakushtëzuar nuk mund të jetë më e vogël se shuma totale e ndarë në vitin e mëparshëm buxhetor. Shuma totale e transfertës së pakushtëzuar, pas përfundimit të periudhës tranzitore të transferimit të funksioneve të reja në nivel vendor, rritet me madhësinë e transfertave specifike që vendoset të përfshihen brenda transfertës së pakushtëzuar. Përfshirja e fondeve për funksione të decentralizuara rishtazi në transfertën e pakushtëzuar, kur është e nevojshme, shoqërohet me ndryshimin e formulës së ndarjes së transfertës së pakushtëzuar, për të siguruar një financim të përshtatshëm dhe për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve.
Transferta e kushtëzuar
Transferta e kushtëzuar është fondi që i jepet pushtetit vendor nga Buxheti, i cili duhet të përdoret vetëm për qëllimin dhe sipas rregullave të vendosura nga qeveria qëndrore.
Shpenzime totale
Shuma e shpenzimeve të vazhdueshme (korrente) dhe kapitale (investime) të kryera nga bashkia.
Shpenzimet sipas natyrës ekonomike
Shpenzimet korrente përbëjnë shumën e të gjithë shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes, që kryen një bashki për një periudhë të caktuar kohore, dhe përfshin kostot e vazhdueshme të njësisë për përmbushjen e funksioneve të përditshme. Shpenzimet sipas klasifikimit ekonomik do të përfshijnë si më poshtë:
  • Paga
  • Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore
  • Shpenzime operative
  • Grante
  • Pagesa për interesa
Shpenzimet kapitale
Janë shpenzimet që kryen njësia e qeverisjes vendore për blerjen e aseteve të reja apo riparimine atyre të mëparshme dhe jetëgjatësia e të cilave shkon përtej një viti fiskal. Një tjetër klasifikim i kësaj kategorie shpenzimesh është, dhe ai i funksionit apo programeve ku do të renditeshin shpenzime në fushat si mëposhtë:
  • Shërbime të përgjithshme publike
  • Ujësjellës dhe kanalizime
  • Transport
  • Turizëm
  • Çështje ekonomike
  • Strehimi dhe komoditetet e komunitetit
  • Shëndetësia
  • Argëtimi, kultura dhe çështjet fetare
  • Arsim
  • Mbrojtje sociale

Mbi Financat Vendore

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2021 Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit

Më shumë informacion »

Publikimet më të fundit




Si të na kontaktoni

Autostrada Tiranë — Durrës, km 7
Tiranë, Shqipëri

Tel. (+355) 424 07423-4
Fax. (+355) 424 07425
Mob. (+355) 697 082668